Poezi...


Nuk të përulem, ka mbaruar,
asnjë premtim i yti s'hyn dot
në shpirtin tim për ta sunduar,
jemi të huaj, sot edhe mot.
Ti ke harruar që lirinë
s'ia fal mashtrimit kurrsesi
por dhe kështu, vite që s'vijnë
për sytë e tu u bëra fli.
Edhe kështu tek ti pandehja
të gjeja shpirt e shok e short
dhe tërë botën e urreja
që të të desha ty më fort.
Gjith' ato çaste të qëndrimit
tek këmbët tënde, e beson?
Ia kam rrëmbyer frymëzimit
me se po mi zëvendëson?
Nga ndonjë çast mendimbegatë
dhe forc'e shpirtit s'ish çudi
t'i jepje botës një dhuratë
dhe të më jepte pavdekësi.
Pse doje pra të më ndërroje
atë kurorë lavdiplotë?
Pse s'qe athere kur premtoje
e tillë siç je bërë sot?
Krenar jam, falmë është e kotë
kërko një tjetër dashuri
për asnjë gjë në këtë botë
nuk mund të rri në skllavëri.
Nën qiell të jugut, në vend tjetër
do të largohem, ndoshta shpejt.
Po jemi njohur pak si tepër
për t'u harruar ashtu krejt.
Që sot do të zë të argëtohem
dhe të betohem paskëtaj,
vetëm do qesh e do gëzohem
dhe për asgjë nuk do të qaj.
Do rrej si djalli sa të dua
si desha, më s'do dashuroj
a mund të dua më një grua
kur sot një engjëll më tradhtoi?
Të vdisja desha dhe të vuaj,
me botën desha të luftoj
që fort të voglën dorën tuaj
i çmendur, të mundja ta shtrëngoj.
Pa të kuptuar dot mashtrimin
ta fala shpirtin mbushur plot
ia njohe këtij shpirti çmimin?
Ia njohe, unë s’të njoha dot!
_Mihail Lermontov.

Comments

Popular posts from this blog

Shtëpia Ideale, Dino Buzzati.

"Eat,Pray,Love." Elizabeth Gilbert.

"24 ore nga jeta e nje gruaje." Stefan Zweig.