4 ide për të jetuar… Platoni.



Athinë, 2400 vjet më parë.
Është një vend kompakt: rreth 250,000 banorë. Ka banjo te këndshme, teatro, tempuj, rrugët pazari dhe gjimnaze. Arti lulëzon, ashtu si edhe shkenca. Mund të gjeni peshk të shkëlqyer poshtë tek porti, në Pire. Është ngrohtë për më shumë se gjysmën e vitit.
Kjo është edhe shtëpia e parë e vërtetë në botë – dhe ndoshta më e madhe - e filozofit Platon.
I lindur në një familje të shquar dhe të pasur në qytet, Platoni ia ka kushtuar jetën e tij një qëllimi: të ndihmojë njerëzit të arrijnë atë gjendje që ai e quajti:
εὐδαιμονία
Eudaimonia: kjo fjalë greke e veçantë, por interesante është pak e vështirë për tu përkthyer: ajo pothuajse do të thotë ‘lumturi’, por është me të vërtetë më pranë ‘përmbushjes’, sepse ‘lumturia’ sugjeron “këngë” pa mbarim – ndërsa ‘përmbushja’ është më shumë e pajtueshme me periudhat e dhimbjes së madhe dhe vuajtjeve – të cilat duket të jetë pjesë e pashmangshme edhe në një jetë të mirë.
Çfarë propozon Platoni për t’i bërë njerëzit më të përmbushur? Katër ide qendrore dalin në veprën e tij.
1. Mendoni më shumë
Platoni propozoi që jetët tona shkojnë shpesh herë keq, sepse ne pothuajse kurrë nuk i japim vetes kohë për të menduar me kujdes dhe të logjikojmë mjaftueshëm për planet tona. Kështu përfundojmë duke përqafuar vlerat e gabuara, karrierën e gabuar dhe marrëdhëniet e gabuara. Platoni donte të sillte rregull dhe qartësi në mendjet tona.
Ai vuri në dukje sesi shumë prej ideve tona janë nxjerrë nga ajo që mendon turma, ajo që grekët e quajtën “doxa”, dhe ne do ta quajmë “gjykim i shëndoshë”. E megjithatë, në mënyrë të përsëritur, në të gjithë 36 librat që shkroi, Platoni tregoi se gjykimi i shëndoshë është i “bërë shoshë” prej gabimeve, paragjykimeve dhe bestytnive. Idetë popullore për dashurinë, famën, paratë apo mirësinë thjesht nuk i qëndrojnë arsyetimit.
Platoni gjithashtu vuri re sesi njerëzit krenarë udhëhiqeshin pothuaj nga instinktet e tyre apo pasionet (duke u hedhur në vendime mbi bazën e asgjëje më shumë se sa ashtu si ndiheshin’), dhe ai e krahasoi këtë me zvarritjen e rrezikshme pas një grupi kuajsh të egër me sytë të lidhur.
Ndërsa Frojdi kishte qejf ta pohonte, në fakt ishte Platoni ishte shpikësi i terapisë, duke këmbëngulur se ne mësojmë t’ia nënshtrojmë të gjitha mendimet dhe ndjenjat arsyes tonë. Ai është përpjekur të shkruajë në mënyrë edhe të përsëritur, por thelbi i filozofisë përmblidhet në komandën:
γνῶθι σεαυτόν “Njih vetveten”
2. Dashuro me më shumë mençuri
Platoni është një nga teoricienët e mëdhenj të marrëdhënieve. Libri i tij, Simpoziumi, është një përpjekje për të shpjeguar se çfarë është dashuria në të vërtetë dashuria. Ai tregon historinë e një darke të shtruar nga Agathoni, një poet i pashëm, i cili fton një grup shokësh rreth tryezës, për të ngrënë, pirë dhe për të folur për dashurinë.
Mysafirët kanë të gjithë pikëpamje të ndryshme se çfarë është dashuria. Platoni i jep mikut të tij të vjetër Sokratit – një nga personazhet kryesore në këtë dhe në të gjithë librat e tij – teorinë më të dobishme dhe interesante: Kur ju bini në dashuri, ajo që ndodh në të vërtetë është se shihni tek një tjetër person, ato cilësi të mira që vetë nuk i keni. Mund të jetë qetësia, kur jeni i shqetësuar. Mund të jetë vetëdisiplinimi, kur ju jeni të shpërqëndruar. Apo mund të jetë elokuenca, kur ju e keni gjuhën e lidhur.
Fantazia në themel të dashurisë është që, duke u afruar me këtë person, ju mund të bëheni paksa të ngjashëm me të. Dhe ai/ajo mund t’ju ndihmojë të rriteni drejt përmbushjes së potencialit tuaj.
Në sytë e Platonit, dashuria është në thelb një lloj edukimi: ju nuk mund të doni vërtetë dikë, në qoftë se nuk doni të përmirësoheni prej tij/saj. Dashuria duhet të jetë dy njerëz, të cilët duhet të përpiqen të rriten së bashku – dhe duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin për t’u përmirësuar. Që do të thotë që ju duhet të bëheni bashkë me personin i cili mban çelësin e zhvillimit tuaj: domethënë virtytet që ju nuk i keni.
Kjo tingëllon krejtësisht e çuditshme në kohët e sotme, kur kemi tendencë për të interpretuar dashurinë, si gjetjen e dikujt që, ashtu si është, na duket i/e përsosur. Në nxehtësinë e debatit, të dashuruarit ndonjëherë i thonë njëri-tjetrit: “Po të më doje, nuk do të përpiqeshe të më ndryshoje!”
Platoni mendon diametralisht të kundërtën. Ai dëshiron që ne të hyjmë në marrëdhënie në një mënyrë shumë më pak “luftarake” dhe krenare. Ne duhet të pranojmë se nuk jemi të plotë dhe duhet të lejojmë dashurinë të na mësojë gjëra të reja. Një marrëdhënie e mirë do të thotë që nuk e duam personin tjetër ashtu si është. Kjo do të thotë që duhet të përkushtohemi për t’i shndërruar në një version më të mrië të vetvetes – dhe të durojmë “stuhitë” e pashmangshme që sjell kjo gjë. Nga ana tjetër, nuk duhet t’u rezistojmë përpjekjeve të tyre për të na përmirësuar.
3. Rëndësia e bukurisë
Të gjithëve na pëlqejnë gjërat e bukura. Por, ne priremi të mendojmë se ka një mister në pushtetin që ato kanë mbi ne dhe në një plan më të gjerë, nuk i quajmë tejet të rëndësishme.
Por Platoni thoshte se ka me të vërtetë shumë rëndësi se çfarë lloji shtëpie apo faltoreje, poçesh apo skulpturash keni përreth vetes. Askush para Platonit se kishte bërë pyetjen kyçe: Pse i pëlqejmë ne gjërat e bukura? Ai gjeti një arsye interesante: ne shohim tek ato një pjesë të “mirësisë”.
Ka shumë gjëra të mira që aspirojmë të jemi: të sjellshëm, të butë, harmonikë, të ekuilibruar, paqësorë, të fortë, dinjitozë. Këto janë cilësi të njerëzve. Por, nga ana tjetër, ato janë edhe cilësi të objekteve. Ne prekemi dhe emocionohemi kur gjejmë në objekte cilësitë për të cilat kemi nevojë, por që na mungojnë në jetë. Pra objektet e bukura kanë një funksion vërtetë të rëndësishëm. Ato na ftojnë të zhvillohemi në drejtimin e tyre, për t’u bërë si ato janë. Bukuria mund të na i edukojë shpirtërat.
Ai vijon se shëmtia është një problem gjithashtu serioz, për arsye na vë përpara karakteristika të rrezikshme dhe të dëmtuara. Na inkurajon që të jemi si ajo: të ashpër, kaotikë, të stuhishëm. Dhe kjo na e bën edhe më të vështirë që të bëhemi të mençur, të butë dhe të qetë. Platoni e sheh artin si terapi: Eshtë detyrë e poetëve dhe piktorëve (dhe në ditët e sotme, shkrimtarëve, producentëve televizivë dhe dizenjatorëve) që të na ndihmojnë të jetojmë mirë.
Platoni besonte në censurën e arteve. Nuk është paradoks. Nëse artistët mund të na ndihmojnë të jetojmë mirë, ata, për fat të keq, munden që edhe t’u japin më shumë prestigj apo cilësi joshëse qëndrimeve dhe ideve të dëmshme. Vetëm fakti që je artist nuk garanton që fuqia e artit do të përdoret me mençuri.
Kjo është arsyeja pse Platoni besonte se artistët duhet të punojnë nën komandën e filozofëve, të cilët do t’u japin atyre ide të drejta dhe do t’u kërkojnë që t’i bëjnë ato sa më bindëse dhe popullore. Arti do të ishte një lloj propagande – ose reklame – për lartësimin e të MIRES.
4. Ndryshimi i shoqërisë
Platoni shpenzoi shumë kohë duke menduar se si qeveria dhe shoqëria duhet të jenë ideale. Ai ishte mendimtari i parë utopik i kësaj bote.
Në këtë drejtim, ai ishte i frymëzuar nga rivali i madh i Athinës: Sparta. Arta ishte një qytet-shtet me aftësinë për të nxjerrë luftëtarë të mëdhenj. Çdo gjë që bënin spartanët – si i rrisnin fëmijët, si e organizonin ekonominë, si kryenin marrëdhënie seksuale, çfarë hanin – ata ia përshtasnin një qëllimi të vetëm. Dhe Sparta ishte jashtëzakonisht e suksesshme, nga pikëpamja ushtarake. Por ky nuk ishte shqetësimi i Platonit. Ai donte të dinte se si një shoqëri mund të përmirësohej në prodhimin e energjisë, jo ushtarake, por “eudaimonia”-n? Si mund të ndihmonte njerëzit në mënyrë të besueshme drejt vetëpërmbushjes?
Në librin e tij, “Republika”, Platoni identifikon një numër të ndryshimeve që duheshin bërë:
a) Ne kemi nevojë për heronj të rinj
Shoqëria athinase ishte shumë e fokusuar tek të pasurit, si aristokrati Alcibiades, dhe sportistët e famshëm, si boksieri Milo nga Crotoni. Platoni nuk ishte i impresionuar: ka me të vërtetë rëndësi kë admirojmë, pasi të famshmit ndikojnë në opinionin tonë, idetë dhe sjelljen. Dhe heronjtë e këqinj dhurojnë joshje për të metat e karakterit.
Prandaj Platoni donte t’i jepte Athinës të famshëm të rinj, duke zëvendësuar kulturën e deriatëhershme, me njerëz idealisht të urtë dhe të mirë, të cilët ai i quajti MBrojtësit: modele për zhvillimin e mirë të të gjithëve. Këta njerëz do të dalloheshin nga shërbimi publik që ofronin, modestia dhe zakonet e thjeshta. Ata nuk pëlqenin të ishin në qendër të vëmendjes dhe kishin një eksperiencë të gjerë dhe të thellë. Ata do të ishin njerëzit më të nderuar dhe admiruar në shoqëri.
b) Ne kemi nevojë për censurën
Sot, censura na shqetëson. Por Platoni ishte i shqetësuar për llojin e gabuar të lirisë: Athina ishte e lirë-për-të gjithë, për opinion-shitësit më të këqinj. Nocione të çmendura fetare dhe në dukje të ëmbla, por të rrezikshme, ide që thithën entuziazmmin e masës dhe çuan Athinën drejt një qeverisjeje katastrofike si dhe në luftëra të gabuara (si për shembull një sulm fatal ndaj Spartës).
Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj stuhisë së zërave të hutuar – mendonte PLatoni – ishte gjë vërtetë e keqe, kështu që ai kërkonte kufizimin e aktiviteteve të oratorëve publikeë dhe predikuesve të rrezikshëm. Në ditët e sotme, Platoni do të kish qenë shumë skeptik për fuqinë e masmedias.
c) Arsimi më i mirë
Platoni besonte me pasion në arsimim, por donte të rifokusonte kurrikulën. Gjëja kryesore që ne duhet të mësojmë është jo vetëm matematika apo drejtshkrimi, por se si të jemi të mirë: ne kemi nevojë për të mësuar për kurajon, vetë-kontrollin, arsyen, pavarësinë dhe qetësinë.
Për të vënë këtë në praktikë, Platoni themeloi një shkollë të quajtur Akademia në Athinë, e cila lulëzoi për më shumë se 400 vjet. Ti shkoje atje për të mësuar asgjë më pak, sesa si të jetoje dhe të vdisje një njeri i mirë. Është interesante dhe jo pak e trishtueshme se si institucionet moderne akademike e kanë nxjerrë jashtë ligjit këtë ambicie. Nëse një student do shfaqej sot në Universitetin e Oksfordit dhe të Harvardit e do të kërkonte të mësonte se si të jetojë, profesorët do të thërrisnin policinë – ose punonjësit e çmendinës.
d) Fëmijëri më të mirë
Familjet bëjnë më të mirën e tyre. Dhe ndonjëherë fëmijët qëllojnë me fat. Prindërit e tyre janë të ekuilibruar, mësimdhënës të mirë, të pjekur dhe të mençur. Por ndodh shpesh që prindërit transmetojnë konfuzionet dhe dështimet e tyre, tek fëmijët. Platoni mendonte se mirërritja e fëmijëve ishte një nga aftësitë më të vështira (dhe më të nevojshme). Ai ishte shumë në favor të fëmijës i cili është frenuar nga mjedisi i gabuar në shtëpi. Kështu ai propozoi që shumë fëmijë në fakt do të ishte më mirë të merrnin vizionin e tyre për jetën jo nga prindërit e tyre, por nga kujdestarë të mençur, të paguar nga shteti. Ai propozoi që një përqindje e madhe e brezit të ardhshëm të rritej nga njerëz më të kualifikuar se sa prindërit e tyre.
Përfundim
Idetë e Platonit mbeten thellësisht provokative dhe tërheqëse. Ajo që i bashkon është ambicia dhe idealizmi i tyre. Ai donte që filozofia të ishte një mjet për të na ndihmuar të ndryshojmë botën. Një shembull që mund të vazhdojë të frymëzojë…

Comments

Popular posts from this blog

Fraze nga "Tre shoket" e Erih Maria Remark.

Fatos Arapi: “Si s’të desha pak më shumë…”

"ZONJA BOVARI", nga Gustav Flober