Shqypnia... Gjergj Fishta.


Edhè hâna do t' a dijë, 
Edhè dielli do t' két pá, 
Se për qark ksaj rrokullije, 
Si Shqypnija ‘i vend nuk ká ! 
Fusha t' gjâna e kodra t' blera, 
Zijes s' mnershme larg kû âsht droja, 
Me gaz t' vet ktû i veshë Prendvera, 
Si t' Parrizit t' larmet shtroja. 
Nën nji qiellë përherë t' kullueme, 
N' rreze e n' dritë përshkue unjí, 
Bjeshkë e male të blerueme 
Si vigâj shtiellen n' ajrí. 
Ke ato bjeshkë e ke ato male 
Kroje t' kjarta e t' cemta gurra, 
Tue rrëmbye npër mriza hale, 
Gurgullojn npër râjë e curra. 
Mbi ato male e bjeshkë kreshnike 
Léjn mande' ata djelm si Zâna, 
Armët e t' cillvet, përherë besnike, 
Janë përmendë ndër fise t' tana. 
Atje léjn, po Toskë e Gegë, 
Si dý rreze n' flakë t' nji dielli: 
Si dý rrfé, qi shkojn tue djegë, 
Kúr shkrepë rêja nalt prej qielli. 
Oh! Po, e din i prûjtë anmiku, 
Se âsht rrfé zogu i Shqyptarit, 
Rijtun gjakut kah çeliku 
N' dorë t' ktij shndritë për vend t' të Parit. 
Ato male të madhnueshme, 
Ato, po, kanë mûjtë me pá 
Se sa forca e pafrigueshme 
N' turr t' Shqyptarit pît ka rá. 
Dridhet toka e gjimon deti, 
Ndezen malet flakë e shkndija, 
Ka' i frigueshëm, si tërmeti, 
Atje rrmben kû e thrret Lirija. 
Lume e shé para atij ngelin, 
I a lshojn udhën dete e male; 
Mbretënt fjalën s' mund t' i a shkelin, 
Turrin ferri s' mund t' i a ndalë. 
Shkundu pluhnit, prá, Shqypní, 
Ngrehe ballin si mbretneshë, 
Pse me djelm, qi ngrofë ti n' gjí, 
Nuk mund t' quhesh, jo, robneshë. 
Burrë Shqyptár kushdo i thotë vetit, 
Qi zanát ka besë e fé, 
Për Lirí, për fron të Mbretit 
Me dhânë jetën ka bâ bé. 
Sy për sy, po, kqyr anmikun; 
Përse djemt, qi ti ke ushqyue, 
S' i ka pá, jo, kush tue hikun: 
Friga e dekës kurr s' i ka thye, 
Kaq të bukur, kaq të hieshme 
Perëndija t' fali i Amshueshëm, 
Sá ‘dhe deka âsht për tý e shieshme: 
N' gjí t' and vorri âsht i lakmueshëm. 
Po, edhè hâna do t' a dijë, 
Edhè dielli do t' két pá, 
Se për qark ksaj rrokullije, 
Si Shqypnija ‘i vend nuk ká ! 
Rrnosh e kjosh, prá moj Shqypní, 
Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera, 
E me dije e me Lirí 
Për jetë t' jetës të rrnoftë tý ndera.

Comments

Popular posts from this blog

Fraze nga "Tre shoket" e Erih Maria Remark.

Fatos Arapi: “Si s’të desha pak më shumë…”

"ZONJA BOVARI", nga Gustav Flober