"24 ore nga jeta e nje gruaje." Stefan Zweig.

-Ngrihuni shpejt! Këtë çast!... Ju thatë: edhe këtë radhë…

Mirëpo atëherë ndodhi diçka e papritur. U kthye rrëmbimthi, po fytyra që më shikonte nuk ishte më e përvuajtur dhe e turpshme, ishte fytyra e një budallai, e një të çmenduri, me sy të flakëruar e buzë që i dridheshin nga inati.

-Lermëni rehat! – thirri. – Sa herë që vini ju, humbas. Kështu bëtë dje, kështu po bëni dhe sot. Shkoni!

Mbeta një çast si e ngurosur. Përballë marrëzisë së tij shpërtheu dhe inati im.

-Unë ju kam sjellë tersin? – e sulmova. – gënjeshtar, hajdut: m’u betuat…

Po s’munda të vazhdoja, sepse ai i çmendur brofi në këmbë dhe më shtyu, pa çarë kokën për zhurmën që nisi të bëhej rreth nesh.

-Lermëni rehat! – thirri si i xhindosur. – Unë s’jam nën mbrojtjen tuaj... Na... na..., merrini paratë që ju kam borxh, - dhe më hodhi disa kartëmonedha qindëshe. – E tani lermëni të qetë!

.......

Kanë kaluar njëzet e katër vjet që atëherë, e megjithatë, tek më kujtohet ai çast kur rrija atje e fshikulluar nga ironia e tij, faqe njëmijë njerëzve të huaj, më ngrin gjaku në rrëmba. Dhe e ndjej përsëri me lebeti se çfarë lënde e dobët, e ngartë dhe e mjerë duhet të jetë ajo që ne, me fjalë tepër të mëdha, e quajmë botë të brendshme, shpirt, ndjenjë, ajo që ne e quajmë dhimbje, sepse të gjitha këto, qoftë dhe në kulm, nuk janë në gjendje ta dërrmojnë krejt trupin e munduar – pse rrojmë prapëseprapë në të tilla çaste, me gjakun që na rreh në deje si çekan, në vend që të vdesim, të këputemi e të biem si ajo pema kur e godet rrufeja. Po ashtu është si ju thashë: dhimbja qenka e poshtër, u mposhtka nga dëshira cipëplasur për të jetuar që, siç duket, ka hedhur në mishin tonë rrënjë më të thella nga të gjitha pasionet e vdekshme të shpirtit.

Comments

Popular posts from this blog

Fraze nga "Tre shoket" e Erih Maria Remark.

Fatos Arapi: “Si s’të desha pak më shumë…”

"ZONJA BOVARI", nga Gustav Flober