Poezi nga Agim Spahiu.
Qetësohu, shpirti im i trazuar, gëzo,
lulet të duan, vish rrobën e bardhë e dil
nëpër ditët gjifryra me prill!
Asnjë fyerje s'do ta kesh nga lulet. . .
Qetësohu, tjetër janë lulet!
Ti dënes e më flet për njerëzit.
E thamë: njerëzit pa dashje të fyejnë,
të përqeshin,
pa dashje edhe të vdesin. . . Qetësohu,
shpirti im i trazuar, gëzo, bari të do,
vish rrobën me lule dhe dil
nëpër ditët gjifryra me prill!
Asnjë fyerje s'do ta kesh nga bari,
tjetër, tjetër është bari. . .
Ti më sheh me sytë e pikëlluar
e unë hesht prej fjalës që dhëmb:
- Ende ulërin egërsi e marrëzisë,
bir i qetësisë si mund të jem?!
Agim Spahiu, 1989
Comments
Post a Comment