“Barra e filozofisë”

Në fjalimin e tij inaugurues në Freiburg, Martin Heidegger tha se “hulumtimi metafizik duhet të paraqitet si i tërë dhe nga pozicioni thelbësor i ekzistencës, që është shtrimi i pyetjeve”. Kjo mënyrë e shtrimit të pyetjeve shkon përtej logjikës dhe sigurisë objektive që ofrojnë shkencat empirike. Fjala është për një metodë të te menduarit e cila kërkon ta rishikojë punën dhe diskursin dy mijë vjeçar në filozofi. Megjithatë, përkundër zhdërvjelltësisë së Haideggerit, kjo metodë nuk ka gjetur mbështetje sot në botën e konfliktit moral dhe atij politik.
Përderisa shumë të rinj merren me veprën “Qenia dhe Koha” në akademi, dy të rinj tjerë në rrugë mbanin një qese të mbushur me plehra, nën nxehtësinë përvëluese të diellit. Ata dukeshin të buzëqeshur dhe të kënaqur më shumë sesa ne që jemi në kërkim të kuptimit të qenies. Por edhe të pakënaqur, nga mungesa e dashurisë dhe të qenit i rëndësishëm, në një botë të paarsyeshme dhe të akullt, e cila ka harruar esencën e njerëzores. Së shpejti, këta dy të rinj do të mbërrijnë në shtëpi, për ta kuptuar se babai i tyre i ka braktisur ata dhe nënën e tyre të sëmurë.
Ngjashëm sikurse shoqëria që është e ndërtuar mbi gjakun e dëshmorëve, edhe jeta jonë personale nuk mund të ndahet nga patologjitë mbizotëruese të kohës sonë. Filozofia ofron një lloj “pushimi” që mundëson të shihet drita, por ajo ende nuk ka arritur ta sjellë anijen në breg. Problemi i filozofisë nuk është thjesht “gjetja e arsyes” në një botë që duket kaq e paarsyeshme. Për të qenë e rëndësishme, filozofia duhet të transformohet në një mjet për çlirim dhe ndryshim.
Beteja më e madhe e filozofisë në rrugën e saj përpara, nuk janë vetëm të fshehtat e universit, preokupim mijëravjeçarë i saj. Beteja kryesore do të jetë kundër elitizmit në një shoqëri që është kaq e ndarë jo vetëm nga hierarkia klasore, por edhe nga hegjemonia e saj kulturore. Kultura elitare e përnaltëson vetëm mendimtarin e vetëkënaqur, qenien-automat, i cili ka ndihmuar në përcaktimin e kuptimit të drejtësisë shoqërore, por jo edhe në vlerën e dashurisë. Individualizmi moral është shndërruar në diçka të lavdishme dhe ju përket vetëm disave të zgjedhur. Filozofi është një avokat i ndryshimit në shoqëri, por ai ose ajo, në të vërtetë, nuk është duke bërë asgjë për ta mundësuar këtë ndryshim.
Largimi i filozofisë nga jeta e përditshme njerëzore e bënë atë të paarritshme për njerëzit e rëndomtë. Mendimi shihet si diçka që është i huaj ndaj masave. E vërteta nuk është thjesht një ide e akullt. E vërteta e rëndësishme, për të cilën trumbetojnë mendimtarët e kësaj kohe, thotë se të varfrit nuk kanë nevojë për bukurinë dhe madhështinë e mendimit abstrakt, por vetëm për zgjidhjet pragmatike të problemeve, që e kanë bërë jetën njerëzore të pamundur. Filozofi – i cili angazhohet për një botë ideale – është në mënyrë të pakthyeshme fajtor për këtë krim moral.
Dinjiteti i çdo personi nuk qëndron në fuqinë e ndonjë ideje. Përkundrazi, duhet të gjendet në rrënjët më të thella të njerëzillëkut tonë – në vlerën tonë morale si persona. Senatori Xh. Diokno një herë tha: “Nëse jua mohoni njerëzve të drejtat e tyre njerëzore, e keni mohuar racën njerëzor si të tillë”. Prandaj, arritjet njerëzore kurrë nuk duhet të maten në bazë të mjeteve individuale të vetë-përmbushjes së kënaqësisë morale. Drejtësia morale është vendosmëria për të kontribuar, në mënyrën më kuptimplote, në ndërtimin e një shoqërie të drejtë, e cila duhet të jetë e drejt në të gjitha gjykimet dhe veprimet tona.
Humbja e jetëve të pafajshme në çfarëdo lufte dhe konflikti duhet t’ia kujtojë njerëzimit rolin e rëndësishëm që luan arsyeja për ndërtimin e një shoqërie të drejtë. Dhuna është shkatërrimi i arsyes. Por njerëzit, gjithashtu, nuk duhet të harrojnë se, në të njëjtën kohë, arsyeja mund të jetë shkak i barbarisë, nëse përdoret për të justifikuar çdo luftë dhe vrasje. Natyrisht, armiku nuk është arsyeja, por mungesa e saj. Megjithatë në mënyrë që arsyeja të këtë vlerë, atëherë mendimi filozofik duhet ta mbart barrën morale të emancipimit të të pafuqishmeve nga prangat e shtypjes politike dhe padrejtësive shoqërore.
Shkruajti: Ryan Maboloc, Doktor i filozofisë. Profesor në Universitetin “Ateneo de Davao”.
Përktheu: Agon Sinanaj
(Marrë nga Virtualsophists)

Comments

Popular posts from this blog

Fraze nga "Tre shoket" e Erih Maria Remark.

Fatos Arapi: “Si s’të desha pak më shumë…”

"ZONJA BOVARI", nga Gustav Flober