Kanali. Arshi Pipa.

I
Nga Korça bumbullon. Currila shiu
rrjedhin prej mushamás mbi krena e shtroje.
Pështillen, struken gjindja ndër mbuloje:
nji lamsh ku qelben rrecka e mish njeriu.
Mbramje. Dikush përbrî qet gjak për goje.
Këndon letas mbatanë nji fmí arxhiu.
Ky grindet për pakë uj qi shoku i piu;
ai shán se i vodhën bukën. Hŷn nji roje.
Shkopinj e shqelma. Britma. Frŷn bilbili.
Pushim. E dergjet lodhje, prân secili,
e flên kush mundet për at natë me fjetë.
Si lazaret rënkon e fshân baraka.
Nesër të gjithë i pret kanali, brraka,
veç atyne qi pret nji vorr i shkretë.
II
Rreshtohet puntorija: ndahet çorba:
dy-trí patate qi vozisin n’uj.
E shtrîhen duert e dridhshme... Por shumkuj,
pse normën nuk e kreu, s’i njomet vorba.
Ky ngjyen bukën me krypë, ai nji këpujë
qepe qëron. E shkunden xhepa e torba.
Për nji fundrrí kazani mu si korba
t’etshëm mbi kërma sulen me rrëmujë.
Mbasdreke. Diell. Tash lahen, hjekin llucën
nga kofshët; terin petkat; ngjesin arna.
Dikush morritet. Njeni zien do barna;
si shtesë për darkën; tjetri qepë këpucën.
Nji profesor me syza vetullçil
Bythça duhani mbledh e i ban fitil.
III
A mund të quhen njerëz? Qe, shikoj.
Fytyra dheu ku sŷt e shojtun ngrohen
kur shofin bukën; faqe qi gropohen
e nofulla qi dalin si patkoj.
Kambët s’i mbajnë e krahët u rrëzohen.
Si dordoleca lkunden qi vendoi
mbi hunj kopshtari. Njerëz kta ksijoj?
Shauretën janë qi nga vorrezat çohen.
Njerëz kanë qenë. Sot janë veç zhele mishi,
automa kockash, nji bërsí, nji pleh,
ku veç prej emnave dallon e njeh
bujkun nga beu, tregtarin nga dervishi,
kusarin, simahorin, lakanderin
prej atdhetarit qi luftoi për nderin.
IV
Por eja tash e shifi ndaj kanalit:
Njimijetreqind vetë, nji mizërí.
Lopata e bela tunden me furí
e qerrkat mbarin plisat e moçalit.
Tri metra e gjysëm kub për çdo njeri.
Qofsh babagjysh qi ke djalin e djalit,
a qofsh i smundë sa dalun prej spitalit,
bani ja vdis: ankimi s’ban dobí.
Shef të gjymtuem e pleq ngarkue mbi shpina
dhogat e randa e qerrkat mbi kaptina,
qi binë e ngrihen e zvarnisen krrut.
U mshon polici me dajak sa mundet.
Por ndodhë sa herë qi njeni sish nuk tundet.
Me vig e çojnë e vigu mbrrîn tabut.
V
Kur bora e Prillit ndritte mbi Gramoz
derisa bryma e vjeshtës rini knetën,
punuem na pa pushim tue hapun shtretën
ndër baltat e moçalit veshë n’rrogoz.
I futeshim kanalit veç me shetën,
bela e lopata. Ushunjzat vijanoz
na thithshin edhe at gjak tuberkuloz
qi kishte ngelë sa me na mbajtun jetën.
Sa zente çquhej nata nga mëngjezi
ndër balta zhyteshim deri te brezi.
Humbojshim, shkajshim, bijshim laradash.
Ngulej qorras për fund lopata e qitte
nji ndrag gjirizi qi si zifti ngjitte
e duhej flakun tutje mbi tre pash.
VI
Kur rojevet u tekej me u-zbavitun
merrshin ndokend nga puna, zakonisht
fetarë a njerëz shkolle, dhe me bisht
lopate u hŷjshin sa t’ishin mërzitun.
Mandej nji doç i hypshin mbi kërbisht
qi e ngitte posi kalin tu’e shëtitun
përgjatë kanalit, «hyja!», tue i britun...
E ja diftojshin puntorís me gisht:
«Sabotator i poshtër! klysh i Carit!
Sabotoni po deshët ju të tjerë!»
Zgërdhîheshin, ngërdhesheshin. At’herë
dy-tre zuzarë mâ t’ligj, shokët e t’parit,
shtymën i jepshin n’gjol që nga skarpati,
dhe t’qitmen kryet me hunj i rrijshin gati.
VII
Pushonte puna, niste çfaqja vrik.
Merrshin ata qi normën s’kishin krye
dhe i futshin prap n’kanal tue u-ndërkrye
ma keq mbi ta, mâ t’dobtit, n’epsh sadik.
Nji tregtari t’dukuem qi u-rrokullye
nga pesha e qerres te skarpati thik
dy përnjiherë i futen me kamxhik,
me shqelma nëpër llaçna tue e shkrrye.
Nji babaj zhgulin mjekrrën, e pështŷjnë.
«Pa shih, derri! akoma bark më ka!
Ngre këmbët, sqap!... Mos ki merak, baba!
Ta heqim ne!» Mandej n’hendek e shtŷjnë.
E i kqyrë nji idiot me gojën hapë... I kllasin
befas nji grusht me dhé... mandej gajasin.
VIII
Por thue se veç me kaq ngopeshin djajt?
Cilat tortura lanë ata pa çpikun.
Kur u-mërzitën vetë tue rrahë, tue fshikun,
frrotën ndërsyen mbi né posi çakajt.
Cubin qi vrau për plaçkë, sifilitikun
rrufjan i s’motrës dhe spijun i t’vllajt,
horin qi hangri bukë turpin e faj’t,
ata mblodhën, atyne u dhanë kamxhikun.
E «Bini atyne qi s’punojnë! – u thanë –
Bini, palaço, t’poshtër! Mirë e keni,
qi anmiqt e popullit ende kurseni!
Qi ju gabuet ata n’errsinë ju lanë.
Dhe shpejt pushteti jú ai do t’ju falë.
Por kta ktu do t’çfarosen dalngadalë!»
IX
Ditën âsht vallja, natën sarabanda.
Se rraskapitesh ditën, natën flên?
Nuk thom për morrin, qi për trup e gjên
(u-msuem me tê) si miza dheu ndër banda.
E zgjohesh trembshëm... Ndien a veshi t’rrên?
Këlthitje t’çjerruna, rënkime t’randa...
Torturohen tash shokët te komanda,
e radha jote nesër ka me qenë.
E ç‘nuk na bâjshin! Na rrihshin me tel,
lakuriq, e mandej n’ujna handraku
na zhytshin, trupin plagë n’currila gjaku.
E na lidhshin me fill prej telefoni
për shtyllat aty pranë krahnuer e bel,
qi t’na pështynte nesrejt divizjoni.
--------------------------------------
Proza, jo vargu i mallëngjyem lirik,
T’i thotë me rend të gjitha sa ktu pati:
T’i çohen flokët, t’i përqethet shtati
Kujdo lexon kanalin satanik.
Shtatë muej me radhë kjo punë e poshtër ngjati.
Kanali i Klosit, tjetri n’Libonik,
dhe Dunaveci i namun, për anmik:
njizet mijë metra me Devollin mati.
E nuk besojshim qysh i kishim bâ.
Gjithë kët fuqí ku, vall, e patën trupat,
Kufomat tona t’shtrydhuna si shtupat?
Kur larg qe puna katër milje e mâ
Na zgjojshin natën dhe mes shiut e llaçit
Na nisshin trok nën rythmin e kërbaçit.
Zbathun ishim shumica e natja e brymtë
Na futej deri n’eshtnat e krahnorit,
anjtun kambësh prej ndragut dhe prej zorit,
me mishin plagë qi dukej mish i krymtë.
Ashtu punuem nën diellin e Qershorit
Qi ndezte ngjeshun koje dheun e lymtë;
Ashtu punuem edhe kur qielli i zymtë
Mbi né përplasi shinat e Nandorit.
Me vegla e barrë gjithnduersh mbi sup e krye,
sulmue prej rojeve tue na përzanë
prej mbrapa si kopé mbas pune s’lanë,
shpesh herë pa bukë pse normën s’kishim krye,
duhej me ngá. O mjerë kush rá e ngeli!
Mbeti aty lmuç si turma e shtypi, e shkeli.
Çuditen bota, e nuk çuditen kot,
qysh Pyramidat ngrehu Faraoni
dhe Koloseun Romaku ku Neroni
i shpallej shekullit artist e zot.
Skllevnit i banë: ashtu pat qenë zakoni.
Kjo ndodhte para nesh me mija mot.
Por eni ktu dhe binduni ju sot!
Skllevën modernë na jemi: krahazoni.
Kanale si njato qi nga Moskova
Lidhen me Volgën, penda me centrale
Hydroelektrike e ara qi moçale
E stepa qenë, dëshmina janë e prova
çka munden skllevnit kur të jenë miljona.
Nji miniaturë e tyne punët tona.
N’infermerín e kampit, nji kasolle
Anash rrethue me hasër, nalt me kashtë,
dergjen ndër qelbësina pêsë a gjashtë;
njiqind, dyqind i ke gjithmonë okolle.
Pushim ankojnë. Por vjen rreshteri i vrashtë
Dhe krisin hunjt e çizmet n’ato golle
Jete s’përçudun ngelun veç gëzholle,
E shpesh me shqelma i qet nga shtrati jashtë.
E vdesin fatkëqijt aty te praku,
Vdesin hendeqeve ndër brraka gjaku,
Vdesin nën shtrat ku mshehen për me vdekë.
Vdesin tue pritun bukën, ndër gjiriza
Tue bâ nevojën, vdesin posi miza,
Dhe si coftina i kallin ndër hendekë.
Ju shelqet e Vloçishtit qi shkëlzeni
Kur letë puhija gjethin ju valvitë,
Te djerri qi veç kallma e driza rritë
Uzdajën time ndofta shembëlleni?
Sa her trishtueshëm un ju kam soditë
Sot thuprat tueja me na fye i keni.
Por çka ju patë, deh, melodí shpërbleni
Kur fej zanorë do t’jenë ato nji ditë.
O lemerí qi goja s’mund ta thotë!
Sa vetë u-pushkatuen aty me t’kotë
a-thue-se deshën me kalue përtej!
Sa tjerë me shqelma ose me hunj u-mbutën,
E ende për s’gjalli te ajo gropë u-zhytën
Qi hapën vetë e mbushën tjerë mandej!
Eshtnat pa vorr u kalben sot te djerri.
E ashtu sa tjerë u-varën vetë me lak.
Çka s panë kta sí. Dy plagë plot qelb e gjak
Le t’ishin, t’ishin pus ku drita shterri:
Mâ pakë do t’dhimbshin. – O vegime tmerri!
Kujtesë e dobët qi m’ban prore lak!…
Por sille fletën e pakryeme: cak
Qi s’mund t’arrîhet prej gjithkuj âsht Ferri!
O ti qi veten ndryshe din nga kafsha!
Ktu eja e shif e shpejt do t’ulet lafsha!
Mënyrat, shijet, etiketa e naltë,
Sjelljet e kandshme Koje t’imta ngjyre
Qi qytetnimi la mbi brum natyre
Kruje bilurin pakë. Çka doli? Baltë!
Shif, vizatoje! Flokët çue si iriq,
Me krhaët e shpupluem qi duken krraba!
E zhgulë prej dheut, si ta rrëmbente shkaba…
Çka? Nji panxhar!… E e dhamçon lakuriq!
Ktu kemi pá si grinden djali e baba
Për nji kulaç, për nji panxhar dy miq:
si vdekja e shokut âsht nji sihariq
kur me fundrrít e tija t’fâhet zhaba!
Kuadër i denjë për Goya-n: mnerë e krup!
Njerëz ktu pamë ndër graham, synin shpellë,
Tu’e zgurdullue për bukë, e t’u e përcjellë!
E shokët fill tu’ e prekun nëpër trup
Posa dha shpirt, e tu’ i plaçkitun krodhën
E bukës, krypën e çka n’torbë ju-ndodhën!
E pamë se qysh nga halet mblidhen trohet,
qysh jepet për nji bukë e vetmja kmishë,
qysh hahet djathi qelbun, voeja prishë,
qysh brehet kocka, bokla qysh thërmohet.
E simandej cingarja ndahet trísh
(se dysh u-ndá ndër burgje qysh prej kohet).
E pamë si prje urije pezmatohet
E bâhet kafshë njeriu e bâhet bishë.
E kem’ provue, ç‘âsht etja: kur na lêjshin
Gjithë ditnë n’diell pa uj (e jo pse s’gjêjshin),
e ngjitej gjuha zam për qiellzë pa jarg.
E pijshim uj kanali. Aty ku bani
Shurrën ndonjeni e tjetri edhe pëgani,
nji shok i rreshkun piu, dy hapa larg.
E kemi pâ se si njeriu nga dhuna
Qi mbytë burrnín mâ poshtë se shtâza rá,
se si nga friga meshkujt bâhen grá,
e bâhen shkardha e bâhen der spijuna.
Njerëz qi dijshim koça kemi pá
Kameleonta tue u-bâ, majmuna.
Por edhe tjetër pamë: si burra e çuna
Vdesin torturash, pa kallzue, pa u-qá.
E nxumë se qysh e ku provohet trimi,
si regjet karakteri nga mundimi,
dalluem se kush âsht shok e kush kodosh.
E njoftëm t’urtin, burrin e martyrin,
e njoftëm turmën, njoftëm panairin
e shpirtënve qi jepen për dy grosh
Miqsís ktu i endi lavd qi posi çam
Qëndron i gjelbër pa ju-veshkun fleta,
atê qi koha mâ ndër endje t’veta
forcon e rritë kur t’jetë ngulitë për shkam!
Larg nga familjet ndër kto vende t’shkreta
Sa herë nji mik i mirë na u-bâ vëllam,
aq mâ i çmueshëm kur s ka veç brengë e skma,
aq mâ i dashun ku mâ pakë duhet jeta.
Mâ i langtë ullini sa mâ i ashpër dheu.
Pisha e madhnueshme qi mbi curr shpërtheu
Virtytin çfaqë qi lindi prej durimit.
Harrohet shoku me kê hove hove
Bunjte, dëfreve, nxne ose punove;
por nuk harrohet kurr shoku i mjerimit
N’orët e çlodhjes kur kujtesa e mpîme
Shkundet ngadalë nga pesa qi e mërtisë,
vidhen prej fundit rrahjet e dashís
e tingullon nji jeh n’andërr t’nji grime.
O paqë e votrës, ambëlsí e fmís!
Rreze e nji malli t’fortë qi nuk u-shkime!
A do t’i shofim prapë ato bekime?
A vinë mâ dit’ e humbuna t’rinis
Ashtu mbas andrrash bota ktu përrallet,
Dhe hulumton mbi shenjat e mbi fallet
Se kur mâ kjo skëterrë do t’ketë nji fund.
N’ato përbindsha ku përgjon dikund
M’nji qoshe barku Mortja pa u-përpushë,
Endet e ndrojtun shpresa si vejushë.
Ky gjol, folé malarje, qi limanin
E lashtë romak me t’soçmin lidhë kundrejt,
Nji qytetnim nën vete ndrín qi u-ngrejt
Para se vendi t’kishte zot Romanin.
O ç‘andërr burgu qi m’i ndezi dejt
Kur veprës me mendim i bâjsha planin!
Poet i kombit ktu ndaltoje zanin!
Kreshnike âsht vepra dhe qëllimi shêjt!
E shifsha njerzín e lirë me vegla
Nëpër kanale tue shpejtue si thnegla,
tokën e hapun der te rranza e malit…
E shifsha nji qytet tue dalë nga fundi…
Nji sagë ilire tue burrue ndokundi…
Por ka ndryshim kanali prej kanalit.
O Buchenwald, o Majdanpek,Dachau!
Kangën për jú qi nisa e nuk e sosa
Ktu do ta kryej ku n’mishin tim vulosa
Gjithçka n’anmiq Gjermani dogj e vrau
I huej ai qe, mizuer për t’huej. Por dosa
Né nuk na polli e nuk na llani shqau.
Nji gjak, nji gjuhë prej kombesh tjerë na ndau
Qi e murmurojnë dy Drinat dhe Vijosa.
Qysh pra vëlleznit tanë punuen mbi né
T’atillë nji dhunë qi s’banë as Turq e Shqé?
Nga trolli i vendit duel e u-rrit kjo farë?
Nji djall e mbolli te nji vend i verbën.
Shqiptarë ata qi e sollën? Queji Serbën,
Bullgarë e Grekë e Rusë!… Por jo Shqiptarë!
Se qysh tepruem nuk din kush të përgjigjet.
Topitet shkenca n’pamundsín e vet.
Natyra msheka mbrenda nji vullnet
Të cilit mendja ende s ja mati ligjet
Se kamp pune ky kurr nuk qe vërtet
Por kamp çfarimi ku ndryshojnë veç shtigjet.
O Majdanpek ku trupi n’furra digjet!
Por pllambë e dhé, Vloçisht, ke ti skelet!
Sa nji për tre, sa nji për pêsë punuem.
Hoqëm urín, lëngatën e torturën.
Rranjët e thella jetës ja diktuem.
Jo te sasija e vjamit, as e gjakut,
As te pêjzit qi vesin armaturën.
Por te besimi i ngultë, te forca e shkakut.
Ajo na mbajti gjallë. Si luleferrë
Nga rrota e qerres shkelun rrafsh me tokën,
por qi nuk shtrohet për me vdekë e kokën
nesërejt diellit plot uzdajë e pjerrrë,
ashtu nën rrotën qi për né qe mokën
me shpirt ndër dhambë dhuruem na kët skëterrë,
lirín e andrruem te nata e bame sterrë,
e zemrat tona atê për flamur rrokën.
Se nuk dyshuem na kurr qi shpejt a vonë
Nga tyranija e randë atdheu do t’shkundesh,
dhe si nji perlë e nxjerrun thellë prej fundesh
ma e bukur do t’shkëlqente besa jonë.
Vuej por qëndro! Merr zemër te burrnija!
E vdis tue brohoritun: Rroftë Shqipnija!
Sonte kujtimi n’arratít e tija
Tue u-vjedhun prej t’errtave llogore
Ndeshi n’andërr atê qi e thirrun prore
Duket veç rrallë për trishtimet e mija.
Ishte si qe te stina e parë rinore
Kur ja stoliste ballin pafajnija.
E m’thonte: “Çka se vdiqa shpejt? Lumnija
Nuk qe për mue! E lashë nji përmendore!
Jo krejt u-bora ku m’u –sos mënxyra.
Si frymë un endem (a s e ndien?) rreth teje.
Të prîj aty ku t’urdhënon detyra,
të mproj nga çdo rrezik përmes beteje.”
I qeshën syt, i ndriti hir fëtyra…
O motër, vorri yt âsht mbrenda meje!
--------------------------------------------------------------
Korrik-Nanduer 1948, kampi i Vloçishtit, Korçë




Comments

Popular posts from this blog

Fraze nga "Tre shoket" e Erih Maria Remark.

Fatos Arapi: “Si s’të desha pak më shumë…”

"ZONJA BOVARI", nga Gustav Flober